
Ambasada e SHBA në Tiranë ka shpërndarë mesazhin e Sekretarit amerikan të shtetit, Marco Rubio, ku thuhet se do të ndërmerret një politikë e re për të penguar hyrjen e drogave vdekjeprurëse.
Sipas Rubios kjo përfshin kufizimin e vizave për anëtarët e familjes dhe bashkëpunëtorët e ngushtë personalë dhe të biznesit të individëve të sanksionuar nga SHBA.
“Po shpall një politikë të re për kufizimin e vizave për anëtarët e familjes dhe bashkëpunëtorët e ngushtë personalë dhe të biznesit të individëve të sanksionuar sipas Urdhrit Ekzekutiv 14059. Do të përdorim të gjitha mjetet e nevojshme për të penguar dhe çmontuar rrjedhën e fentanilit dhe drogave të tjera vdekjeprurëse që hyjnë në vendin tonë – Sekretari i Shtetit Marco Rubio mbi kufizimet e reja të vizave”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA.