
Senati amerikan ka nisur zyrtarisht votimin për një plan masiv shpenzimesh të promovuar nga Presidenti Donald Trump dhe i quajtur nga ai vetë si “projektligji i madh dhe i bukur”. Ky projektligj vjen pas javësh negociatash intensive dhe përplasjesh të forta politike brenda vetë radhëve republikane.
Legjislacioni synon zgjatjen e lehtësimeve tatimore të miratuara gjatë mandatit të parë të Trump, ndërsa shkurtimet në programet e mirëqenies sociale janë kthyer në pikë përçarëse mes ligjvënësve republikanë.
Pas miratimit paraprak në Dhomën e Përfaqësuesve me vetëm një votë diferencë, projektligji është kaluar për shqyrtim në Senat. Megjithatë, për shkak të ndryshimeve të propozuara në Senat, pritet që drafti final të kthehet në Dhomën e Përfaqësuesve për një votim përfundimtar.
Procesi i shqyrtimit në Senat po ndjek një procedurë intensive të njohur si “voto-a-rama”, ku pritet që mbi 20 orë debat të zhvillohen, ndërsa senatorët paraqesin dhe diskutojnë amendamente të shumta në një projektligj prej gati 1,000 faqesh.
Trump ka bërë thirrje që ligji të miratohet përpara 4 korrikut, duke e paraqitur si një “fitore të madhe për ekonominë amerikane” në prag të zgjedhjeve të vitit 2026.
Në fokus të ligjit:
- Zgjatja e lehtësimeve tatimore për individët dhe korporatat
- Reduktimi i buxhetit për ndihmën ushqimore dhe Medicaid
- Investime në infrastrukturë dhe siguri kufitare
Pavarësisht fitores numerike të republikanëve në të dyja dhomat, ndarjet e brendshme ideologjike po e bëjnë miratimin përfundimtar të ligjit një sfidë të madhe politike.