Përplasen anijet në portin e Igumenitsës, dhjetëra anëtarë të ekuipazhit ndodheshin në bord

Dy anije janë përplasur në portin e Igumenitsës pak pas orës 10:00 të mëngjesit të së enjtes.

Përplasja ndodhi kur anija ECO CATANIA e kompanisë italiane Grimaldi, e ngarkuar me mallra dhe me 34 anëtarë të ekuipazhit, po përpiqej të ankorohej.

Ajo ka goditur – në rrethana ende të paqarta –anijen e ankoruar KYDON PALACE të kompanisë greke Minoan Lines me 95 anëtarë të ekuipazhit.

Përplasja ka shkaktuar një të çarë të konsiderueshme tek anija e ankoruar.

Burime nga porti i Igumenicës bëjnë me dije se nuk ka pasur të lënduar. Gjithashtu nuk është vërejtur ndotje e detit nga karburanti i dy anijeve dhe as hyrje të ujit në to.

Autoritetet portuale po kryejnë një hetim paraprak për shkaqet e përplasjes, ndërsa është në zhvillim një inspektim teknik për dëmtimet e tjera të mundshme.

Të dyja anijet janë urdhëruar të qëndrojnë të ankoruara në port derisa të paraqitet një certifikatë lundrimi nga një kompani e klasifikuar për këtë raste.