
Sarandë/Vijon goditja e vjedhjeve të pronës, zbardhen dy raste – arrestohet autori 29-vjeçar
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Sarandë kanë zbardhur dhe dokumentuar dy raste vjedhjesh të ndodhura në qytet, si rezultat i operacionit policor të koduar “The last bag”.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi K. S., 29 vjeç, banues në Berat, i cili u kap më datë 19 qershor 2025, në lagjen nr. 1 të Sarandës, menjëherë pasi kishte vjedhur një shumë parash nga një automjet i parkuar.
Nga hetimet paraprake dyshohet se ky shtetas, një ditë më parë, më 18 qershor, në të njëjtën zonë, kishte vjedhur një shumë prej 114 000 lekësh nga një tjetër automjet.
Sipas të dhënave të Policisë, 29-vjeçari synonte kryesisht automjetet e turistëve, duke marrë prej çantave të lëna brenda tyre para dhe sende me vlerë, ndërkohë që hetohet për përfshirje edhe në raste të tjera të ngjashme vjedhjesh në Sarandë.
Materialet procedurale në ngarkim të tij i janë referuar Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia vijon punën për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm