
“Flija dhe zgjohesha për Talo Çelën” – Alibej rrëfen fiksimin për të vrarë të fortin e Elbasanit
Erion Alibej, i penduari i drejtësisë, ka zbardhur detaje tronditëse nga fiksimi i tij për të eliminuar Talo Çelën, një nga emrat më të lakuar të botës së krimit në Shqipëri.
Në seancën gjyqësore, Alibej deklaroi:
“Flija dhe zgjohesha vetëm për Talo Çelën, sepse ai ishte kryesori. Ishte nga ata trimat që rrinin vetëm në Dubai dhe nuk vinin në Shqipëri.”
Ai tregoi se bashkëpunëtori i tij më i ngushtë për të mbledhur informacione ishte Xhuljano Hoxha, të cilin e financonte rregullisht, madje edhe kur ky i fundit ndodhej në burg.
“Gjithmonë e kam paguar sa herë më ka kërkuar Xhuljani. Kam pasur kontakt edhe me bashkëshorten e tij. Madje njëherë e incizova kur më kërkonte para nga burgu dhe ia dorëzova incizimin prokurorisë,” u shpreh Alibej.
Ai theksoi se Hoxha i siguronte informacion në kohë reale edhe nga brenda qelisë, duke qenë në dijeni të plotë për qëllimin e tij për të vrarë Talo Çelën.
Seanca nuk kaloi pa tensione, teksa Hoxha e mohoi çdo përfshirje në ekzekutimin e vëllait të Talo Çelës, duke deklaruar se është i pafajshëm. Përplasjet mes të dyve ishin të shpeshta gjatë dëshmisë.
Ky rrëfim shton më tej enigmën rreth luftërave të përgjakshme të botës së krimit në Elbasan dhe rolin e aktorëve të përfshirë në prapaskenë