Anulohen fluturimet Tel Aviv–Tiranë pas sulmeve izraelite ndaj Iranit, përshkallëzohet situata në Lindjen e Mesme

Përshkallëzimi i përplasjes ushtarake mes Izraelit dhe Iranit ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në trafikun ajror, duke sjellë anulimin e disa fluturimeve ndërkombëtare, përfshirë edhe ato që lidhin Tiranën me Tel Avivin.

Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, të gjitha fluturimet nga Tirana drejt Tel Avivit dhe anasjelltas janë pezulluar përkohësisht, për shkak të rrezikut të shtuar në hapësirën ajrore të rajonit.

Vendimi vjen pas një vale të re sulmesh ajrore të ushtrisë izraelite ndaj objektivave strategjike në Iran, përfshirë objekte bërthamore dhe bazat ushtarake, gjatë të cilave u raportua vrasja e një gjenerali të lartë dhe dy zyrtarëve të tjerë iranianë.

Në përgjigje, Irani ka lëshuar dhjetëra raketa dhe dronë drejt territoreve izraelite, ndërsa ushtria e Jordanisë ka ndërhyrë për të rrëzuar disa prej tyre në hapësirën e saj ajrore.

Autoritetet shqiptare njoftojnë se do të vijojnë të monitorojnë situatën dhe të informojnë pasagjerët për çdo ndryshim në axhendën e fluturimeve. Udhëtarët që kishin planifikuar udhëtime drejt apo nga Izraeli këshillohen të kontaktojnë kompanitë ajrore për alternativa të mundshme.