
Rendohet bilanci i tragjedisë ajrore të ndodhur këtë të enjte në Indi, ku një avion i kompanisë “Air India” u rrëzua pak minuta pas ngritjes nga aeroporti i qytetit Ahmedabad. Komisioneri i Policisë, GS Malik, deklaroi për agjencinë Associated Press se “me sa duket nuk ka të mbijetuar” nga rrëzimi i avionit.
Sipas autoriteteve, avioni u përplas mbi një zonë banimi që përfshinte edhe godina zyrash, duke shkaktuar vdekje edhe në mesin e banorëve lokalë. “Disa banorë vendas humbën jetën gjithashtu nga përplasja e avionit me ndërtesën e banuar,” tha Malik.
Më shumë se 100 trupa të viktimave, shumica të djegur rëndë, janë transportuar në spitalin lokal për autopsi. Autoritetet vijojnë të punojnë për identifikimin e viktimave dhe përcaktimin e shifrave përfundimtare.
Avioni i rrëzuar ishte një “Boeing 787-8 Dreamliner”, i një prej modeleve më modernë të flotës së pasagjerëve. Sipas të dhënave të “Flightradar24”, ai kishte fluturuar për herë të parë në vitin 2013 dhe iu dorëzua Air India në janar të vitit 2014. Në momentin e aksidentit, në bord ndodheshin mbi 244 persona, përfshirë 217 të rritur, 11 fëmijë dhe dy foshnje.
Air India bëri të ditur se 169 pasagjerë ishin shtetas indianë, ndërsa pjesa tjetër përfshinte 53 britanikë, shtatë portugezë dhe një kanadez.
- Ngjarja përbën rrëzimin e parë të një avioni të tipit Boeing Dreamliner që prej hyrjes së tij në shërbim komercial në vitin 2011. Autoritetet janë duke hetuar shkaqet e aksidentit, ndërsa vendi ndodhet në zi kombëtare për jetët e humbura.