
Gjatë ndeshjes së shumëpritur Shqipëri–Serbi në stadiumin “Air Albania”, një nga figurat më të spikatura në tribunë ishte Igli Tare. Ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare dhe aktualisht drejtori sportiv i Milanit nuk ndodhej aty vetëm si tifoz, por me një qëllim të qartë skautimi.
Sipas mediave italiane, Tare kishte një “mision sekret” për të monitoruar disa prej futbollistëve të dy skuadrave, me qëllim përforcimin e kuqezinjve të Milanit. Emrat që janë lakuar më së shumti nga kampi shqiptar janë Berat Gjimshiti dhe Armando Broja. Ky i fundit shihet si objektiv kryesor për repartin ofensiv, ndërsa Gjimshiti duket se është pranë një transferimi të mundshëm në kampionatin e Katarit.
Vëmendja e shtuar ndaj kësaj ndeshjeje vjen edhe për shkak të rivalitetit historik mes dy përfaqësueseve, por për Taren, ndeshja ishte një mundësi e artë për të ndjekur nga afër performancën e talenteve që mund të bëhen pjesë e projektit të Milanit në sezonin e ardhshëm.