Zbardhet skema e mashtrimit me emrin e Postës – u tentua vjedhja e të dhënave bankare përmes mesazheve

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka reaguar menjëherë pas zbulimit të një fushate mashtruese që synonte vjedhjen e të dhënave bankare të qytetarëve shqiptarë.

Mashtrimi u realizua përmes mesazheve të rreme, që pretendohej se vinin në emër të Postës Shqiptare. Përmes këtyre mesazheve, përdoruesit drejtoheshin në një faqe interneti të rreme, ku kërkoheshin të dhënat e tyre të kartave të kreditit.

Sipas njoftimit zyrtar të AKSK-së, domaini i dyshuar u raportua dhe iu përcoll menjëherë për bllokim Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).

Autoriteti thekson se kjo fushatë nuk lidhet me ndonjë aktor të sponsorizuar, por është pjesë e një serie tentativash të ngjashme që janë shfaqur më parë në vend.

AKSK u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos japin në asnjë rast të dhënat e tyre bankare përmes formave të dyshimta. Institucioni vijon monitorimin dhe bashkëpunimin me organet përkatëse për të parandaluar çdo përpjekje për mashtrim digjital