Shqiptarët shpërndanin drogë në Mykonos – arrestohen 3 persona, njëri i kërkuar nga SPAK

Shpërndanin drogë në Mykonos – arrestohen 3 shqiptarë, njëri i kërkuar nga SPAK

Tre shtetas shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë greke gjatë një operacioni të gjerë antidrogë të zhvilluar në ishullin e Mykonos. Njëri prej tyre rezulton i shpallur në kërkim nga SPAK.

Sipas hetimeve të policisë helene, grupi kriminal ka nisur aktivitetin të paktën që në maj të vitit 2025, duke shpërndarë kokainë, kokainë rozë, marijuanë dhe tableta narkotike në zona të ndryshme të ishullit.

Të arrestuarit janë identifikuar si Spiro Lila, 30 vjeç dhe Roland Allka, 33 vjeç, të dy nga Gramshi, si dhe Euglend Dumi, 36 vjeç, nga Vaqarri i Tiranës. Lila ishte në kërkim nga SPAK, si pjesë e një grupi kriminal që u godit në maj 2019 në Sarandë, i përfshirë në trafik ndërkombëtar droge.

Grupi vepronte përmes tre banesave të marra me qira ngjitur me njëra-tjetrën, të cilat i përdorte si baza për ruajtjen dhe shpërndarjen e drogës. Anëtarët udhëtonin me automjete private dhe motoçikleta për të shitur lëndët narkotike, duke përfituar të ardhura të konsiderueshme.

Për të shmangur zbulimin, ata kishin ngritur një sistem të mirëorganizuar mbikëqyrjeje, ku një anëtar i grupit qëndronte jashtë banesës si roje telefonike, ndërsa të tjerët vepronin në terren duke bërë ndalesa të shkurtra, manovra të rrezikshme dhe vëzhgim të vazhdueshëm të zonës.

Policia greke vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrjetin dhe lidhjet e grupit me organizata të tjera kriminale.