Zyrtare: Në qershor Shqipëria hap të gjithë kapitujt e negociatave për anëtarësim në BE, konfirmon Marta Kos

Zyrtare! Marta Kos: Në qershor hapen të gjithë kapitujt për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Bruksel, 30 maj 2025 – Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka konfirmuar zyrtarisht se në muajin qershor 2025, Shqipëria do të hapë të gjithë grupkapitujt e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Deklarata u bë gjatë një konference të mbajtur në Qendrën për Studime Evropiane në Bruksel, ku Kos theksoi se me Shqipërinë është arritur një marrëveshje konkrete dhe se tashmë vendi është shumë pranë një etape të re historike.

“Brenda mandatit tim si Komisionere për zgjerimin do të kemi anëtarësime të reja në BE nga Ballkani Perëndimor. Me Edi Ramën kemi një marrëveshje. Shqipëria do të martohet me Bashkimin Europian”, u shpreh Kos.

Ajo theksoi se procesi i integrimit të Shqipërisë ka qenë i bazuar në merita dhe progres të vërtetuar, duke shtuar se pas hapjes së kapitujve, do të nisë edhe fazën e mbylljes, e cila është një tjetër hap vendimtar drejt anëtarësimit të plotë.

“Në qershor do të hapim grupin tjetër të kapitujve me Shqipërinë, dhe me këtë hapje do të përmbyllet hapja e të gjithë kapitujve të negociatave,” deklaroi Komisionerja.

Kjo është një zhvillim historik për rrugëtimin europian të Shqipërisë, që prej dekadash ka aspiruar të bëhet pjesë e familjes europiane. Deklarata e Kos vjen në një moment kur presioni diplomatik dhe angazhimi institucional për integrimin është rritur ndjeshëm si në Tiranë ashtu edhe në Bruksel.