
Ministri i Mbrojtjes në detyrë i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka ngritur alarmin për një situatë të jashtëzakonshme të sigurisë në kufirin me Serbinë. Ai deklaroi se rreth 70% e kapaciteteve ushtarake serbe janë dislokuar në jug të Serbisë, shumë pranë kufirit me Kosovën, çka përbën një kërcënim serioz për stabilitetin në rajon.
Maqedonci theksoi se kërcënimet e vazhdueshme nga Beogradi nuk janë më retorikë, por reale dhe të vëzhguara me kujdes nga institucionet e sigurisë së Kosovës dhe aleatët ndërkombëtarë.
“Ne e shohim gjithmonë të mundshme që Serbia mund të ndërmarrë veprime për destabilizim. Prandaj jemi të përkushtuar të ndërtojmë një forcë ushtarake të aftë për të mbrojtur territorin e Kosovës dhe jetën e qytetarëve tanë,” – tha ministri.
Ai shtoi se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), në bashkëpunim të plotë me aleatët amerikanë dhe NATO-n, është e përgatitur të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të vendit.
Maqedonci shprehu shqetësim edhe për bazat e përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përgjatë kufirit, duke e cilësuar këtë si një zhvillim që nuk mund të anashkalohet dhe që kërkon vëmendje të menjëhershme ndërkombëtare.
“Ne do të qëndrojmë të vendosur përballë çdo përpjekjeje për destabilizim dhe do të vazhdojmë të shtyjmë përpara vlerat perëndimore, demokratike dhe të sigurisë kolektive,” përfundoi ministri në deklaratën e tij.