
Një aksident i rëndë i ka marrë jetën Edmond Gjocit, një 39-vjeçari shqiptar banues në Tuoro sul Trasimeno, Itali. Ai u përplas nga një automjet mëngjesin e së martës, teksa priste dikë që do ta shoqëronte për në punë.
Ngjarja ndodhi në rrugën rajonale 71, në zonën e Riccios. Sipas autoriteteve, mjeti që përplasi shqiptarin drejtohej nga një 19-vjeçar italian, i cili kishte marrë lejen e drejtimit së fundmi.
Dyshohet se i riu ka humbur kontrollin e automjetit, ka devijuar nga rruga dhe ka përfunduar mbi trotuar, duke goditur për vdekje Gjocin.
Policia italiane ka nisur hetimet për të përcaktuar përgjegjësinë e drejtuesit të mjetit dhe rrethanat e plota të ngjarjes.