Helmimi në kopshtin e Gramshit: 14 raste me salmonelë, vihet në lëvizje NJVKSH, alarm për institucionet shëndetësore!

Gramsh – Rritet në 14 numri i personave të prekur nga salmonela, mes tyre edhe fëmijët e Kopshtit Nr. 1.

Alarmi për një shpërthim infeksioni nga bakteret “Salmonella Enteritidis” është dhënë në Gramsh, pasi 14 persona janë konfirmuar të infektuar nga ushqimi i kontaminuar, përfshirë fëmijët e Kopshtit publik Nr. 1. Rasti ka ngritur në këmbë strukturat shëndetësore vendore, ndërsa Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) ka nisur menjëherë procedurat për hetim, menaxhim dhe parandalim të përhapjes.

Sipas një emaili të siguruar nga gazetari Osman Stafa, NJVKSH Gramsh ka njoftuar të gjitha qendrat shëndetësore dhe Spitalin Bashkiak për të raportuar urgjentisht çdo rast të dyshuar dhe për të forcuar mbikëqyrjen ndaj fëmijëve me simptoma të ngjashme.

“Ditët e fundit, në Kopshtin Nr. 1 në qytet janë paraqitur disa raste të fëmijëve me simptoma gastrointestinale si diarre, temperaturë, të vjella dhe dobësi. Nga 79 persona të depistuar (fëmijë dhe staf), janë identifikuar 14 raste me Salmonella Enteritidis. Prej tyre, 5 janë zbuluar përmes diagnozës klinike dhe 9 nga depistimi,” – thuhet në njoftimin zyrtar të NJVKSH.

Nga 72 ekzaminime për depistim, 53 kanë rezultuar negativë, 6 nuk kanë pasur rritje bakteriale dhe 6 janë ende në pritje të rezultatit.

Autoritetet lokale kanë nisur analizat laboratorike për të përcaktuar burimin e kontaminimit, ndërsa është kërkuar vigjilencë maksimale për:

  • Identifikimin e rasteve me simptoma të dyshimta,
  • Raportim të menjëhershëm pranë NJVKSH Gramsh,
  • Ndjekje të gjendjes shëndetësore të fëmijëve të prekur dhe atyre që kanë rezultuar negativë,
  • Informim të komunitetit mbi higjienën personale dhe sigurinë ushqimore.

Autoritetet shëndetësore bëjnë apel për bashkëpunim dhe kujdes maksimal në këtë periudhë, ndërsa po punohet për të shmangur përhapjen e mëtejshme të infeksionit.