
Gjermani – Aksident tragjik në Autobahn: Tre shqiptarë humbin jetën, 6 të plagosur rëndë. Po ktheheshin nga një festë familjare
Një udhëtim që duhej të përfundonte me kthimin në shtëpi pas një feste familjare u kthye në tragjedi në Gjermani. Tre shtetas shqiptarë humbën jetën dhe gjashtë të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e një aksidenti të rëndë me minibus në orët e para të mëngjesit të 25 majit, pranë qytetit Koblenz në Rheinland-Pfalz.
Ngjarja ndodhi rreth orës 03:05 në autostradën A48, në drejtim të Trier, në zonën e Bassenheim. Sipas raportimeve të policisë gjermane, minibusi me nëntë pasagjerë doli nga rruga për arsye ende të paqarta dhe u përmbys disa herë, pa u përfshirë ndonjë automjet tjetër.
Viktimat dhe të plagosurit
Tre viktimat janë identifikuar si një burrë 53-vjeç dhe dy gra të moshës 47 dhe 65 vjeç. Gjashtë personat e tjerë, të moshës nga 20 deri në 66 vjeç, janë plagosur – disa prej tyre rëndë – por nuk raportohen në rrezik për jetën.
Shoferi i mjetit, një 22-vjeçar, sipas të dhënave paraprake të policisë, nuk rezulton të ketë qenë nën efektin e alkoolit apo drogës në momentin e aksidentit. Hetimet për shkaqet e plota të ngjarjes vijojnë.
Deklarata zyrtare e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë:
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është informuar nga autoritetet gjermane për një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 25 maj, pranë qytetit Koblenz, ku janë përfshirë disa shtetas shqiptarë. Me keqardhje njoftojmë se si pasojë e këtij aksidenti kanë humbur jetën tre shtetas shqiptarë, ndërsa katër të tjerë janë plagosur dhe po marrin trajtim në spitalet lokale.”
Ndërhyrja e shpejtë e ekipeve të emergjencës
Në vendngjarje u angazhuan mbi një duzinë automjetesh të shërbimit të urgjencës, shtatë patrulla policie, pesë mjete zjarrfikëse dhe katër punonjës të kujdesit emergjent. Autostrada A48 u mbyll për më shumë se katër orë dhe u rihap në mëngjesin e të njëjtës ditë. Trafiku u devijua përmes autostradës A61.
Autoritetet gjermane vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit. Në minibus ndodheshin edhe persona të tjerë me kombësi të ndryshme, përveç shtetasve shqiptarë.
Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Gjermani, ndërsa autoritetet shqiptare janë në kontakt me familjet e viktimave dhe po ndihmojnë me procedurat përkatëse