Fier: Kapet autori që tentoi vrasjen në Shtyllas, po arratisej drejt Greqisë

Screenshot

Fier – Kapet duke tentuar të largohej drejt Greqisë autori tjetër i ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin Shtyllas, ku babë e bir tentuan të vrisnin shtetasin Ll. M.

Pas disa orësh kërkimesh intensive, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier morën informacion se i kërkuari po largohej në drejtim të Sarandës.

Forcat operacionale të Policisë Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, arritën të lokalizojnë dhe të arrestojnë shtetasin N. P., 40 vjeç, në momentin që po përpiqej të hipte në autobusin e linjës Konispol, me destinacion final Greqinë.

Në përfundim të veprimeve procedurale, ndaj tij u bë ndalimi për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme ligjore.