I riu 18-vjeçar refuzohet nga 15 universitete, krijon aplikacion shëndetësor dhe fiton 30 milionë dollarë në vitin e parë

U refuzua nga 15 universitete, i riu krijon një aplikacion shëndetësor dhe fiton 30 milionë dollarë në një vit

Historia e Zach Yadegari, një 18-vjeçari nga New York-u, është kthyer në burim frymëzimi në rrjetet sociale dhe më gjerë. I riu, pavarësisht se u refuzua nga 15 universitete prestigjioze, arriti të krijojë një aplikacion shëndetësor që gjeneroi 30 milionë dollarë fitime në vetëm një vit.

Zach, një nxënës i shkollës publike në Roslyn, kishte një histori të jashtëzakonshme që në moshë të vogël. Ai mësoi të programonte në moshën 7-vjeçare, jepte mësime në moshën 10 vjeç dhe kishte publikuar aplikacionin e tij të parë në App Store që në moshën 12 vjeç.

Megjithë një rezultat pothuajse perfekt në provimet e pranimit, aplikimet e tij për bursa dhe pranime në universitetet më të njohura amerikane nuk u vlerësuan pozitivisht. Ai u refuzua nga Harvard, Yale, Stanford, MIT, Columbia, Princeton, Brown, Cornell, dhe shumë të tjera. Vetëm tre universitete e pranuan: Universiteti Teknik i Xhorxhias, Universiteti i Miamit dhe Universiteti i Teksasit.

Ndërkohë, Zach nuk u ndal. Në vitin e parë të gjimnazit, ai krijoi Cal AI, një aplikacion që analizon një vakt ushqimor dhe llogarit kaloritë përmes një fotoje të vetme. Inovacioni i tij tërhoqi vëmendjen e investitorëve dhe përdoruesve në të gjithë botën, duke e shndërruar në një histori suksesi ndërkombëtare.

“Nuk prisja të pranohem në të gjitha kolegjet, por mendoja se disa do ta vlerësonin punën time sipërmarrëse. Ndoshta arritjet jashtë kurrikulës klasike nuk vlerësohen sa duhet,” tha ai për Washington Post.

Postimi i tij ku ndau listën e refuzimeve u bë viral, me mbi 27 milionë shikime dhe mijëra komente mbështetëse. Shumë e panë këtë si një shembull të qartë të mungesës së fleksibilitetit në proceset e pranimit në universitetet elitare.

Pavarësisht sfidave, Zach e sheh të ardhmen me optimizëm. “E fillova udhëtimin tim në mënyrë të pavarur. Tani dua të mësoj edhe nga njerëzit përreth – jo vetëm nga kompjuterët apo librat,” u shpreh ai.

Historia e tij ka ndezur një debat të gjerë mbi rolin e universiteteve dhe mënyrën si vlerësohen të rinjtë me shpirt sipërmarrës. Komentet online e kanë cilësuar Zach-un si shembullin perfekt të asaj që ndodh kur ndjek pasionin pa pritur miratimin e sistemit