
FIER – Atmosferë festive dhe plot nostalgji në qytetin e Fierit, ku u zhvillua eventi “Retro vjen në Fier”, një ekspozitë mbresëlënëse e mjeteve klasike që mblodhi të apasionuarit pas automobilëve historikë nga e gjithë Shqipëria.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Belinda Balluku, e cila ishte e shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi. Në një intervistë për STAR Channel, znj. Balluku theksoi rëndësinë e organizimeve të tilla për jetën sociale, kulturore dhe turistike të qytetit.
“Fieri sot është kthyer në një galeri të hapur ku ndërthuret historia, pasioni dhe kultura. Evente të tilla duhet të mbështeten sepse krijojnë një identitet të ri për qytetet tona dhe nxisin turizmin e brendshëm,” – u shpreh znj. Balluku për mikrofonin e STAR Channel.
Bashkë me qytetarët, ata shijuan nga afër koleksionet e makinave klasike, duke risjellë kujtime të së kaluarës dhe një atmosferë të veçantë që i dha qytetit një ritëm ndryshe fundjavës.