
Tiranë, 16 Prill 2025 – Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur sot para Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), për një seancë procedurale në lidhje me ecurinë e hetimeve ndaj tij.
Seanca, e cila u zhvillua në orën 12:00, u ndërpre përkohësisht pas kërkesës së avokatëve të Veliajt për t’u njohur me dosjen hetimore. Ajo pritet të rifillojë në orën 13:30. Hetimet po zhvillohen nga SPAK, ndërsa gjyqtari që po shqyrton çështjen është Erjon Bani.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti, pasi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Ndërkohë, kjo e fundit ndodhet nën masën “detyrim paraqitje” dhe i është ndaluar dalja jashtë shtetit.
Në të njëjtën dosje janë të përfshirë edhe biznesmeni Elman Abule, si dhe pesë persona të tjerë nën masën “detyrim paraqitje”. Akuza ndaj Veliajt bazohet në dëshmi të marra nga një dëshmitar anonim në vitin 2023 dhe përforcohet nga dokumente të sekuestruara gjatë hetimeve.
Veliaj i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht dhe ka kërkuar lirimin nga burgu. Kërkesa e tij për ndryshimin e masës së sigurisë pritet të shqyrtohet nga Apeli i GJKKO në ditët në vijim.