Zjarri në Koçan/ Thellohet bilanci tragjik: Humb jetën 29-vjeçari që po kurohej në Lituani, dy të tjerë në gjendje kritike

Bilanci tragjik i zjarrit që ndodhi në Koçan të Maqedonisë së Veriut më 16 mars është thelluar edhe më tej. Ditën e sotme ka ndërruar jetë një tjetër i plagosur nga tragjedia, duke e çuar numrin e viktimave në 60.

Viktima më e fundit është 29-vjeçari Aleksandar Gavrillovski, i cili po trajtohej në një spital në Lituani. Lajmin e ka konfirmuar ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, i cili tha gjithashtu se dy pacientë të tjerë ndodhen ende në gjendje kritike për jetën.

Zjarri shpërtheu pas një fishekzjarr që ra në ambientet e një klubi nate në qytetin lindor të Koçanit, ku ndodheshin kryesisht të rinj. Si pasojë, rreth 200 persona u plagosën dhe një numër i madh i tyre u transportuan në spitale të ndryshme në vendet e Bashkimit Europian për trajtim të specializuar.

Hetimet kanë zbuluar se klubi i natës “Pulse” kishte shkelje të shumta të sigurisë dhe mungesë të licencave të nevojshme për funksionim. Deri tani, 34 persona janë vendosur në paraburgim për ngjarjen, përfshirë një ish-ministër të Financave dhe shtatë oficerë të lartë policie. Prokurori i Shtetit, Ljupço Kocevski, deklaroi se të dyshuarit përballen me akuza që parashikojnë dënime deri në 20 vjet burgim.

Pas tragjedisë, autoritetet e Maqedonisë së Veriut njoftuan mbylljen e dhjetëra klubeve të natës dhe ambienteve të argëtimit që nuk plotësonin standardet e sigurisë. Në mbarë vendin, si dhe në Greqinë fqinje, janë zhvilluar protesta me kërkesa për drejtësi dhe ndëshkim të përgjegjësve.