
Trafikuan pistoleta me vlerë 10 mijë euro për shitje, pranga dy shtetasve kosovarë
Policia e Shtetit ka goditur një rast të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova, me qëllim shitjen e tyre në Shqipëri.
Në kuadër të operacionit “Suspend”, u arrestuan dy shtetas kosovarë, të cilët dyshohet se kanë trafikuar dy pistoleta me vlerë rreth 10 mijë euro, si dhe municion luftarak.
“Goditet një rast i trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova, me qëllim shitjen. Sekuestrohen 2 pistoleta dhe municion luftarak. Vihen në pranga 2 shtetas kosovarë, të cilët dyshohet se i kanë trafikuar pistoletat, me qëllim shitjen në Tiranë, me vlerë afro 10,000 euro”, njoftoi policia.
Operacioni, i udhëhequr nga Prokuroria dhe Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, ka përfshirë gjithashtu Forcën Operacionale të DVP Tiranë. Gjatë hetimeve disamujore me metoda proaktive, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor “Suspend”, që ka çuar në arrestimin e shtetasve A. P., 23 vjeç dhe K. P., 53 vjeç, të dy banues në Kosovë.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me të cilin qarkullonin shtetasit në autostradën “Lezhë – Fushë Krujë”. Gjatë kontrollit, janë gjetur dhe sekuestruar 2 pistoleta dhe municion luftarak. Hetimet e mëtejshme dyshojnë se këta shtetas i kanë trafikuar pistoletat nga Kosova, me qëllim shitjen në Tiranë.
Vijojnë hetimet nga Prokuroria për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, thuhet në njoftimin e policisë.