Një aksident i rëndë është regjistruar pasditen e së enjtes në Burrel, në zonën e njohur si “Ish-Agjensia”, ku dy automjete tip “Benz” janë përplasur kokë më kokë. Si pasojë e përplasjes së fortë, janë lënduar gjashtë persona – dy drejtuesit e mjeteve dhe katër pasagjerë.
Ndër të plagosurit është edhe një fëmijë 8-vjeçar, i cili për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Sipas të dhënave paraprake nga policia, drejtuesi i njërit prej automjeteve është shtetasi A.L., 38 vjeç, ndërsa automjeti tjetër drejtohej nga shtetasi L.K., 36 vjeç. Të lënduarit po marrin ndihmën mjekësore në spitalin e Burrelit dhe në Tiranë.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor që po punon për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Autoritetet pritet të japin informacion të mëtejshëm sapo të përfundojnë veprimet hetimore
