
Në një takim me shqiptarët në Athinë, kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, kërkoi mbështetje në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke premtuar se Shqipëria do të anëtarësohet në BE brenda mandatit të katërt nëse PS fiton.
“Nuk ke nevojë të ndryshosh atë që je dhe që e ke në pasaportën tënde, shqiptar. Sepse me këtë pasaportë, që unë dhe yt atë të bëmë të mundur ta mbash, ti ke mundësinë të qëndrosh këtu, të lëvizësh lirshëm në çdo vend të Europës dhe të respektohesh si i barabartë me çdo europian,” tha Rama.
Ai theksoi rëndësinë e integrimit europian dhe faktin që për herë të parë BE është i gatshëm të përfundojë procesin e zgjerimit me Shqipërinë brenda dekadës së ardhshme.
“Sot, për herë të parë, BE nuk thotë më ‘Një ditë do jemi bashkë’, por thotë: ‘Brenda vitit 2027 jemi gati ta mbyllim kapitullin me ju dhe brenda një dekade të jemi bashkë’. Kjo ka ardhur si rezultat i këmbënguljes sonë dhe seriozitetit të qeverisë shqiptare,” u shpreh ai.
Rama kujtoi zgjedhjet e 1992, kur shqiptarët votuan masivisht Partinë Demokratike, duke hapur një kapitull të ri pas rrëzimit të diktaturës, dhe e krahasoi këtë moment me procesin e integrimit europian.
“Ishte një takim me historinë, për të mbyllur kapitullin e një historie të dhimbshme. Po kështu, sot, Shqipëria ndodhet para një mundësie historike që nuk duhet ta humbasë,” tha kryeministri.
Ai paralajmëroi dy gabime që shqiptarët nuk duhet të bëjnë:
1. Të mendojnë se dera e BE-së do të mbetet gjithmonë e hapur. Rama tha se në të kaluarën BE ka hapur derën për disa vende, por më pas e ka mbyllur.
2. Të besojnë se integrimi në BE mund të ndodhë automatikisht ose nën çdo drejtim politik. Ai theksoi se, ashtu si në vitin 1992, vendimet madhore kërkojnë udhëheqje të qëndrueshme dhe mbështetje të fortë popullore.
“Në 1992, shumë nga ata që votuan PD-në nuk ishin mbështetës të saj, por e bënë për një arsye më të madhe. Sot, Shqipëria ndodhet sërish përpara një vendimi historik. Kjo mundësi duhet të na gjejë të bashkuar, me përkushtim dhe vendosmëri për të çuar përpara projektin europian të Shqipërisë,” përfundoi ai.