
Samiti në Londër për Emigrantët – Presion mbi Qeverinë e Starmer, Britanikët Kërkojnë Marrëveshje si ajo me Shqipërinë
Londër, 31 Mars 2025 – Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi sot në Samitin Ndërkombëtar për Migracionin, që po mbahet në Londër, se Britania ka kthyer në vendet e tyre 24 mijë emigrantë të paligjshëm që nga ardhja e tij në pushtet, tetë muaj më parë.
Por pavarësisht kësaj, shifrat e emigracionit të paligjshëm vazhdojnë të rriten, me 30 mijë emigrantë të rinj që kanë mbërritur në Britani që nga qershori i kaluar, përmes 542 gomonesh. Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, 6,500 persona kanë kaluar Kanalin e La Manshit.
Laburistët nën presion – Britanikët kërkojnë masa më të forta
Rritja e flukseve të emigrantëve ka shkaktuar pakënaqësi në opinionin publik britanik, një nga arsyet kryesore pse konservatorët humbën zgjedhjet dhe laburistët morën pushtetin.
Megjithatë, sondazhet tregojnë se britanikët nuk janë të kënaqur me masat aktuale të qeverisë Starmer, duke i kthyer sytë drejt Partisë Reforma, të drejtuar nga Nigel Farage, e cila ka një qasje shumë më të ashpër kundër emigracionit.
Në këtë samit, Starmer kërkoi bashkëpunim ndërkombëtar për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore dhe për të përmirësuar menaxhimin e emigracionit të paligjshëm. Ai përmendi Vietnamin dhe Shqipërinë si shembuj të bashkëpunimit të suksesshëm, duke vënë në dukje se një pjesë e madhe e emigrantëve të kthyer kanë qenë nga marrëveshja mes Shqipërisë dhe Britanisë në vitin 2023, e arritur mes Edi Ramës dhe Rishi Sunak.
Do të ketë një marrëveshje të re për emigrantët?
Ndërkohë, në Britani vazhdon debati mbi skemat deportuese, veçanërisht mbi marrëveshjen e dështuar të Ruandës, e cila kushtoi 700 milionë stërlina, por rezultoi në vetëm katër deportime vullnetare.
Mbetet për t’u parë nëse qeveria britanike do të avancojë me idenë e krijimit të qendrave të pritjes për azilkërkuesit në vende të treta, një model i ngjashëm me marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë.
Deri më tani, Shqipëria ka refuzuar të bëhet pjesë e një skeme të tillë me Britaninë, por pritet të shihet nëse ky diskutim do të ngrihet në samitin e Londrës me përfaqësuesit shqiptarë.