Dita e parë e shkollës, Policia e Shtetit shpall masa të reja: mbyllen lokalet pranë shkollave dhe kontrolle të forta

Policia e Shtetit ka shpallur një plan të detajuar masash për nisjen e vitit të ri shkollor 2025–2026, që fillon më 8 shtator. Synimi kryesor është krijimi i një mjedisi të sigurt për nxënësit dhe stafin mësimor.

Prani më e madhe policore

Komisariatet do të garantojnë prezencë të shtuar të efektivëve rreth shkollave, veçanërisht në oraret e hyrjes, daljes dhe gjatë pushimit të madh. Policia Rrugore do të vendosë pika kontrolli pranë institucioneve arsimore që ndodhen në rrugë kryesore. Po ashtu, do të kryhen kontrolle të rrepta ndaj mjeteve që transportojnë nxënës, përfshirë testet e alkoolit dhe kontrollin teknik të automjeteve.

Mbyllja e lokaleve dhe ambulantëve pranë shkollave

Drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik, Agron Çeli, deklaroi se në bashkëpunim me institucionet përkatëse do të mbyllen lokalet dhe pikat ambulante që shesin pije alkoolike apo ushqime të skaduara pranë shkollave, pasi ato përbëjnë rrezik për rendin publik.

Kontrolle për nxënësit dhe ndëshkim i lajmeve të rreme

Një tjetër masë është kontrolli i nxënësve në hyrje të shkollave për të parandaluar mbajtjen e sendeve të kundërligjshme. Kontrolli do të bëhet nga rojet dhe oficerët e sigurisë në prani të mësuesve dhe nën mbikëqyrjen e policisë. Për rastet e njoftimeve të rreme që shkaktojnë panik, autorët do të mbajnë përgjegjësi ligjore.

Avatar photo
Arveni Avdulaj
8 Shtator, 08:06 | Përditësimi: 8 Shtator, 08:06