Fitim Dumani, vëllai i vogël i Nuredin Dumanit, ka rrëfyer për emisionin MaShqip me gazetarin Flamur Vezaj detaje tronditëse për vrasjet dhe atentatet ku ka qenë i përfshirë vëllai i tij. Ai dha emra dhe ngjarje, duke theksuar se Nuredini ka qenë vrasës me pagesë për grupe të ndryshme kriminale dhe jo “ushtar” i ndonjë grupi të caktuar.
Në dëshmitë e tij, Fitim Dumani akuzon Suel Çelën si autor të vendosjes së tritolit ndaj motrave në Elbasan, duke thënë se ai dhe njerëzit e tij ende lëvizin lirshëm, ndërsa SPAK bën “drejtësi selektive”.
Ai shtoi se Nuredini pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë pasi u tradhtua nga shokët e tij dhe filloi të rrëfejë pazaret, takimet dhe krimet ku kishte marrë pjesë.
Në rrëfim, Fitimi përmend edhe lidhjet me Talo Çelën, duke deklaruar se ky i fundit është vrarë nga vëllezërit Çopja, si dhe se Suel Çela i ka organizuar pritë vëllait të tij në bashkëpunim me ta.
Fitim Dumani, i cili sapo është liruar nga burgu, tha se nuk ka frikë nga askush dhe akuzoi policinë si të përfshirë me grupe kriminale. Sipas tij, vëllai Nuredin Dumani nuk do të tërhiqet nga dëshmitë dhe do të çojë drejt arrestimeve të reja.
