Bashkia e Tiranës ka njoftuar se qytetarët që përdorin transportin publik në kryeqytet mund të gjurmojnë në kohë reale lëvizjen e autobusëve urbanë përmes platformës Google Maps.
Ky shërbim i ri synon t’u vijë në ndihmë jo vetëm banorëve të Tiranës, por edhe turistëve që vizitojnë Shqipërinë, duke u ofruar informacion të saktë mbi oraret dhe kohën e mbërritjes së autobusëve në stacione.
“Ky projekt u realizua nga GIZ Albania dhe Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e Albanian Technology Distribution (ATD). GTFS-RT (Real-Time General Transit Feed Specification) është integruar me sukses në Google Maps”, thuhet në njoftimin për mediat.
Sipas bashkisë, ky sistem do të përmirësojë ndjeshëm planifikimin e udhëtimit për mijëra pasagjerë të përditshëm dhe do të ndihmojë në menaxhimin e cilësisë së shërbimit, duke optimizuar operacionet e transportit publik në kryeqytet.
