Rama paralajmëron: Hiqni vetë lavazhet nga lagjet, ndryshe do të gjobiten për krim mjedisor

Kryeministri Edi Rama ka lëshuar një paralajmërim të qartë ndaj lavazheve që ushtrojnë aktivitetin në hapësira publike, veçanërisht brenda lagjeve të banuara. Pas aksioneve të ndërmarra kundër lokaleve e restoranteve që zënë trotuare dhe rrugë pa leje, tashmë vëmendja është përqendruar te lavazhet.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama deklaroi se asnjë lavazh nuk do të lejohet më të funksionojë nëpër lagje, duke larë automjete në trotuare apo në zona publike. Ai i bëri thirrje pronarëve që t’i largojnë vetë këto struktura të paligjshme, përndryshe do të përballen me gjoba të rënda dhe ndëshkime ligjore.

“Asnjë lavazh nuk do të qëndrojë mes lagjeve për të larë makinat nëpër trotuare. Kush i ka, t’i heqë vetë që të mos paguajë edhe gjobën e krimit mjedisor,” – shkruan Rama në deklaratën e tij.

Ky paralajmërim vjen në kuadër të fushatës për lirimin e hapësirave publike dhe rritjen e standardeve urbane në zonat e banuara. Kryeministri shtoi se institucionet përkatëse do të ndërhyjnë me forcë për çdo rast shkeljeje të ligjit dhe cenimi të mjedisit.

Avatar photo
Arveni Avdulaj
30 Korrik, 10:05 | Përditësimi: 30 Korrik, 10:05