Dhunë në një hotel në Vlorë: Rrëfehet kamarieri i rrahur nga efektivi dhe një person me precedentë penalë

Ngjarje tronditëse në qytetin e Vlorës, ku një kamarier 18-vjeçar është dhunuar brutalisht në vendin e tij të punës nga një efektiv policie jashtë shërbimit dhe një tjetër shtetas me precedentë penalë. Ngjarja ndodhi në një hotel në zonën e Skelës dhe u raportua fillimisht nga klientë të rastësishëm që ndodheshin në lokal.

Sipas rrëfimit të të riut, gjithçka nisi pas një keqkuptimi banal lidhur me një shishe uji, që ishte porositur gabimisht në tavolinën e dy klientëve.

“Erdhën dy zotërinj dhe u ulën. Porosinë e mori dikush tjetër, unë vetëm e shpërndava. Ishte një ujë e madhe, një e vogël dhe një makiato. Kur ua çova, njëri më tha: ‘Vetëm një ujë sill, se ai tjetri është rrotë k…’. I thashë që s’ka problem, e heq, por s’ka nevojë të shash, se ka ndodhur pa dashje”, – tregon kamarieri, ende i tronditur nga ngjarja.

Por tensioni nuk u ndal me kaq. Dy burrat, të dy rreth të 40-ave, sipas dëshmisë së tij, e kanë ndjekur deri te banaku dhe e kanë sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar lëndime në trup dhe fytyrë.

Burime nga policia lokale konfirmojnë se njëri nga autorët është punonjës policie jashtë detyrës, ndërsa tjetri është person i dënuar më parë për dhunë dhe armëmbajtje pa leje. Të dy janë identifikuar dhe po hetohen në gjendje të lirë, ndërsa viktima ka dhënë dëshminë e tij zyrtarisht përpara hetuesve.

Ngjarja ka shkaktuar zemërim të madh në rrjetet sociale, ku qytetarë dhe aktivistë kanë kërkuar ndëshkim shembullor për agresorët, sidomos kur bëhet fjalë për një punonjës të shtetit që në vend të mbrojë qytetarët, ushtron dhunë ndaj tyre.

Policia e Vlorës ka njoftuar se ka nisur një procedim disiplinor ndaj efektivit dhe se do të informojë publikun për ecurinë e hetimeve.