
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e Astirit në Tiranë, ku një i ri është gjetur pa shenja jete brenda automjetit të tij, në parkimin e pallatit ku banonte.
Viktima është identifikuar si Enea Dine, 29 vjeç. Sipas informacioneve paraprake, ai kishte parkuar makinën mbrëmjen e së martës rreth orës 23:00 dhe nuk ishte kthyer më në banesë. Familjarët e tij e gjetën pa jetë mëngjesin e së mërkurës.
Policia bëri me dije se trupi nuk ka shenja dhune dhe nuk ka dyshime për ngjarje kriminale në këtë fazë. Megjithatë, pritet të realizohet ekspertiza mjekoligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Hetimet janë në vijim nga autoritetet, ndërsa zona ku ndodhi ngjarja është rrethuar për veprime të mëtejshme hetimore.