
Operacioni policor i koduar “Plazhi i lirë” vijon me intensitet në qarkun e Fierit, me qëllim lirimin e hapësirave publike në vijën bregdetare dhe kontrollin e ligjshmërisë së aktivitetit të subjekteve private.
Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar dhe Policinë Bashkiake, kanë ndërhyrë në tre stacione plazhi në zonën bregdetare të Semanit.
Gjatë kontrolleve, u konstatua se 3 subjekte private kishin zënë në mënyrë të paligjshme sipërfaqe toke publike, ku kishin vendosur rreth 150 komplete me çadra dhe shezlongë, pa lejen përkatëse nga autoritetet.
Në përfundim të veprimeve, u proceduan penalisht shtetasit:
- E. F., 38 vjeç
- R. Sh., 69 vjeç
- Z. S., 56 vjeç
Ata akuzohen për veprat penale:
- “Pushtimi i tokës”,
- “Fshehja e të ardhurave”,
- “Ushtrimi i aktivitetit tregtar i pa pajisur me kasë fiskale”.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme procedurale.
Policia bën me dije se kontrollet do të vijojnë në të gjithë vijën bregdetare gjatë sezonit veror, me fokus lirimin e hapësirave publike për qytetarët dhe ndëshkimin e çdo veprimtarie të paligjshme tregtare