Shpëtim heroik në “Ranën e Hedhun” – administratori i beach bar-it nxjerr nga deti dy pushues në rrezik mbytjeje

Një ngjarje e rrezikshme u regjistrua pasditen e sotme në zonën bregdetare të “Ranës së Hedhun” në Shëngjin, ku tre pushues shqiptarë rrezikuan të mbyteshin për shkak të rrymave të forta detare dhe përkeqësimit të motit.

Sipas informacioneve zyrtare, bëhet fjalë për tre shtetas të moshës 30–35 vjeç, të cilët po laheshin së bashku kur rrymat e detit i përfshinë duke i tërhequr në drejtim të thellësisë. Njëri prej tyre arriti të dalë me forcat e veta në breg, ndërsa dy të tjerët mbetën në rrezik serioz për jetën.

Në momentet kritike, ndërhyri me shpejtësi një vrojtues deti në bashkëpunim me administratorin e një beach bar-i pranë vendngjarjes, të cilët u futën në ujë dhe arritën të nxjerrin të dy personat në breg në gjendje të stabilizuar.

Falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe koordinimit të shpejtë, është shmangur një tragjedi e mundshme në këtë plazh shumë të frekuentuar gjatë sezonit turistik.

Apel për kujdes

Ndërkohë, autoritetet vendore dhe strukturat e emergjencës bëjnë thirrje për kujdes të shtuar gjatë pushimeve, sidomos në ditët me kushte të paqëndrueshme atmosferike. Rrymat detare mund të paraqesin rrezik edhe për notarët me përvojë.

Ngjarja ka risjellë në vëmendje nevojën për më shumë masa sigurie, vëzhgues të trajnuar dhe sinjalistikë paralajmëruese në zonat me rrezik të shtuar për pushuesit.