Ervin Salianji kërkon lirim me kusht, Prokuroria dhe Shërbimi i Provës: Sjellje shembullore, të lirohet nga qelia

Në Gjykatën e Fierit, këtë të martë, është zhvilluar seanca për shqyrtimin e kërkesës së ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i cili ka kërkuar lirimin me kusht, pasi ka vuajtur më shumë se 2/3 e dënimit me burg.

Burime nga seanca gjyqësore bëjnë me dije se Prokurori Genci Mane, si dhe Shërbimi i Provës, kanë paraqitur një raport pozitiv për Salianjin, duke e konsideruar sjelljen e tij gjatë qëndrimit në burg si shembullore. Trupa gjykuese është tërhequr për të dhënë vendimin në orët në vijim.

Salianji, i cili u arrestua në shtator të vitit 2024, ndodhet prej nëntë muajsh në burgun e Fierit, ku po vuan një dënim me 1 vit burg, vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë, për “kallëzim të rremë” në lidhje me të ashtuquajturën dosja “Babale”. Ai ka apeluar vendimin, ndërsa prej fillimit e ka cilësuar çështjen ndaj tij si “politikisht e motivuar”.

Në seancën e sotme, Salianji kërkoi që të lirohet me kusht dhe tre muajt e mbetur t’i kalojë në shërbim prove, pa qëndruar më në qeli. Në momentin e mbërritjes në Gjykatë, ai u shoqërua nga efektivë të policisë, duke mbajtur pranga në duar.

Konteksti: Dosja “Babale” dhe dënimi

Ervin Salianji u shpall fajtor në lidhje me publikimin e një audio-përgjimi të realizuar nga gazetari Jetmir Olldashi, ku një person i identifikuar si “Babale” akuzonte Geron Xhafajn, vëllain e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, për përfshirje në trafik droge. Prokuroria e cilësoi materialin të montuar dhe e konsideroi denoncimin si të rremë.

Tashmë mbetet në dorën e Gjykatës së Fierit të vendosë nëse ish-deputeti do të përfitojë nga liria me kusht apo do ta përfundojë të plotë dënimin e tij në burg.