
Raiffeisen Bank është vënë sërish në qendër të kritikave, pas disa rasteve të denoncuara në media për abuzime me kredi të buta dhe dokumente të falsifikuara. Ndërkohë që qytetarë të ndryshëm janë përballur me kërkesa për shlyerje kredish të marra në mënyrë të dyshimtë, banka ka nisur një fushatë publike për të “shpëlarë” imazhin, duke e shitur veten si mbështetëse e familjeve të reja në nevojë.
Por e vërteta është krejt tjetër. Sipas gazetarit Klodian Tomorri, nuk është Raiffeisen ajo që mbulon kostot e kredive të buta, por taksapaguesit shqiptarë. Banka, përkundrazi, fiton para edhe nga këto kredi të subvencionuara, pa dhënë asnjë kontribut të drejtpërdrejtë financiar. Megjithatë, ajo përpiqet të përfitojë nga publiciteti, duke bërë “humor të hidhur” mbi hallet e qytetarëve.
Pyetja që shtrohet është: Cila është përgjegjësia sociale e kësaj banke? A ka financuar ndonjë bursë për fëmijë në nevojë? A ka ndihmuar ndonjë të moshuar të vetmuar? A ka ndërtuar shkolla apo spitale? Përgjigjja është jo. Të vetmet veprime publike të Raiffeisen mbeten disa pemë të mbjella në liqen, të përdorura më shumë për fotografi sesa për impakt real.
Sipas Tomorrit, problemi më i thellë qëndron te filozofia menaxheriale e këtyre bankave të huaja: nuk kanë prioritet zhvillimin e ekonomisë shqiptare, por vetëm përfitimin financiar. Menaxherët e huaj të bankave, sipas tij, jetojnë rehat në Shqipëri, të distancuar nga realiteti ekonomik dhe social i vendit, duke organizuar festa luksoze dhe duke harruar misionin bazë të një banke në një vend në zhvillim: të nxisë ekonominë, jo ta frenojë atë.