
Tiranë/ Dënohet Raiffeisen Bank, falsifikuan firmat për kredi në emër të qytetares dhe kërkuan shlyerjen e saj – gjykata i jep të drejtë viktimës
Një rast i rëndë falsifikimi dhe abuzimi financiar është zbardhur në Lezhë, ku qytetarja L. S. dhe bashkëshorti i saj S. S. arritën të fitojnë betejën ligjore ndaj Raiffeisen Bank, pasi u përfshinë në mënyrë të paligjshme në një kontratë kredie, me firma të falsifikuara.
Ngjarja ka nisur në vitin 2010, kur çifti mori një njoftim nga banka se ndaj tyre ishte lëshuar urdhër ekzekutimi për një kredi bankare që ata nuk kishin marrë kurrë. Kërkesa lidhej me shlyerjen e një detyrimi prej 1.801.567 lekësh, marrë nga një person tjetër me inicialet V. K., me të cilin ata nuk kishin asnjë lidhje.
Sipas dokumenteve, banka pretendonte se L. S. ishte dorëzanëse në këtë kredi. Çifti këmbënguli se nuk kishin firmosur asnjë dokument të tillë dhe, të bindur në pafajësinë e tyre, i drejtohen Policisë së Qarkut Lezhë me kallëzim penal më 18 shkurt 2010.
Pas hetimeve të Prokurorisë së Lezhës, u zbardh skema mashtruese: kontrata ishte firmosur më 24.09.2007 mes bankës dhe dy individëve të tjerë, ndërsa përfshirja e L. S. dhe bashkëshortit të saj ishte bërë me falsifikim të firmave, duke shkelur rëndë të drejtat e tyre.
Sipas dyshimeve, përzgjedhja e qytetares dhe bashkëshortit të saj si dorëzanës të rremë është bërë për shkak të aktivitetit të tyre biznesor në qytet, duke supozuar se ata kishin mundësi financiare për të mbuluar borxhin e vërtetë.
Gjykata i dha të drejtë qytetares L. S. dhe dënoi përgjegjësit, përfshirë punonjës të bankës dhe autorët e falsifikimit. Kjo ngjarje e rëndë vë në dukje mënyrën abuzive të trajtimit të klientëve nga një institucion financiar që duhet të jetë garant i sigurisë ligjore dhe financiare.
L. S. tashmë ka të drejtën të kërkojë zhdëmtim për dëmin moral, financiar dhe ligjor që i është shkaktuar padrejtësisht ndër vite. Rasti shërben si precedent për raste të tjera ku qytetarët tentohen të përfshihen në skema mashtruese të ngjashme.