Përplasen dy makina në Fushë-Krujë, humb jetën një 85-vjeçare, plagosen tre të tjerë, mes tyre edhe dy drejtuesit e mjeteve

Fushë-Krujë/ Aksident tragjik në rrugën “Fushë-Krujë – Borizanë”: Një viktimë dhe tre të plagosur

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar këtë të mërkurë rreth orës 11:00 në aksin “Fushë-Krujë – Borizanë”, ku dy automjete tip “Mercedes-Benz” janë përplasur me njëra-tjetrën.

Sipas të dhënave zyrtare nga Policia, në aksident janë përfshirë një automjet me drejtuese shtetasen M. K., rreth 30 vjeçe, dhe një tjetër me drejtues shtetasin I. S., rreth 50 vjeç.

Përplasja fatale i mori jetën pasagjeres në mjetin që drejtohej nga I. S., konkretisht nënës së tij, shtetasja B. S., rreth 85 vjeçe.

Ndërkohë janë plagosur të dy drejtuesit e automjeteve dhe një tjetër pasagjere që ndodhej në automjetin e I. S. Të plagosurit janë transportuar me urgjencë në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit dhe përcaktimin e shkakut të përplasjes.

Policia apelon për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor për të shmangur ngjarje të tilla tragjike.