
Një aksident i pazakontë ndodhi mbrëmjen e së shtunës në zonën e Trenit në Tiranë, kur një automjet me targa të huaja humbi kontrollin dhe u përplas me barrierat ndarëse të rrugës, duke marrë përpara edhe një pemë dekorative.
Ngjarja ka ndodhur pranë vijave të bardha, në një zonë me lëvizje intensive mjetesh dhe këmbësorësh, çka e ka bërë situatën edhe më të rrezikshme. Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.
Pas përplasjes, drejtuesi i mjetit është larguar nga vendngjarja, duke braktisur makinën, por ka lënë pas targën, e cila u gjet në vendin e aksidentit. Policia ka identifikuar automjetin dhe po punon për kapjen e shoferit.
Shkaku paraprak dyshohet të jetë shpejtësia e lartë, ndërkohë që grupi hetimor po verifikon kamerat e sigurisë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit.