
Sarandë – “Siguria nuk negociohet!”. Me këtë mesazh të prerë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka inspektuar nga afër masat e marra për sezonin turistik 2025, gjatë një vizite në qytetin bregdetar të Sarandës.
I shoqëruar nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, përfshirë Drejtorin e Kufirit dhe Migracionit, Saimir Boshnjaku, Drejtorin e DVP Vlorë, Elidon Çela dhe Drejtorin e Kufirit Vlorë, Blendi Jaho, Proda zhvilloi një takim me strukturat operacionale të angazhuara në terren.
Në deklaratën e tij, ai theksoi:
✅ “Siguria është pasaporta jonë për qytetarët dhe turistët. Kërkohet angazhim maksimal dhe profesionalizëm i lartë.”
Ai dha një sërë porosish dhe urdhrash operative për garantimin e rendit dhe sigurisë:
- Monitorim i vazhdueshëm i plazheve me dronë, patrulla me biçikleta dhe forcat detare.
- Kontroll rigoroz ndaj mjeteve lundruese, për dokumentacionin dhe pajisjet e sigurisë.
- Zero tolerancë për zaptimin e hapësirave publike, në kuadër të operacionit “Plazh i Lirë”.
- Reagim i menjëhershëm ndaj ndotjes akustike, veçanërisht në zonat turistike.
Forcat e Policisë së Shtetit do të bashkëpunojnë ngushtësisht me strukturat vendore për të garantuar që pushuesit të kenë një sezon të qetë dhe të sigurt.
Sipas Prodas, për sezonin 2025, pritet një rritje e fluksit të turistëve, ndaj kërkohet një prani aktive dhe inteligjente policore në çdo pikë strategjike bregdetare.