
Këshilli Evropian i ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë Izraelit për të zbatuar plotësisht ligjin ndërkombëtar humanitar dhe për të ndaluar armiqësitë në Rripin e Gazës. Në deklaratën përfundimtare të samitit, udhëheqësit e BE-së kërkojnë një armëpushim të menjëhershëm dhe lirimin pa kushte të të gjithë pengjeve, duke theksuar domosdoshmërinë për një zgjidhje të qëndrueshme dhe përfundimtare të konfliktit.
KE shpreh keqardhje të thellë për gjendjen humanitare në Gaza, duke e cilësuar numrin e viktimave civile si të papranueshëm dhe duke ngritur alarmin për nivelet ekstreme të urisë. Bashkimi Evropian i bën thirrje Izraelit të heqë bllokadën ndaj Gazës dhe të lejojë hyrjen e menjëhershme, të pakufizuar dhe të sigurt të ndihmës humanitare.
Deklarata nënvizon se Izraeli duhet të përmbushë detyrimet e tij ndërkombëtare, duke garantuar mbrojtjen e civilëve, përfshirë punonjësit humanitarë, si dhe infrastrukturën civile, përfshirë spitalet, shkollat dhe objektet e OKB-së.
Në lidhje me situatën në Bregun Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor, Këshilli Evropian dënon përshkallëzimin e dhunës nga kolonët, zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme dhe operacionet ushtarake izraelite, duke kërkuar që çdo palë të përmbahet nga veprime që dëmtojnë mundësinë për paqe dhe zgjidhje me dy shtete.