
Eklipsi më i gjatë diellor i mijëvjeçarit tashmë ka një datë të saktë dhe po tërheq vëmendjen e astronomëve dhe entuziastëve në mbarë botën. Ky fenomen i rrallë do të ndodhë më 16 korrik të vitit 2186 dhe do të jetë më i gjatë se çdo eklips i regjistruar në historinë moderne.
NASA e ka përshkruar këtë eklips si pothuajse të përsosur, duke theksuar se një ngjarje e tillë nuk do të përsëritet për mijëra vite. Për më shumë se 7 minuta (7 minuta e 29 sekonda), Hëna do të mbulojë plotësisht Diellin, duke shkaktuar errësirë totale në pjesë të ndryshme të planetit tonë.
Kjo kohëzgjatje e jashtëzakonshme është shkaktuar nga përputhja e disa kushteve astronomike të rralla: Toka do të jetë në afhel, pika më e largët nga Dielli, duke bërë që Dielli të duket më i vogël, ndërsa Hëna do të jetë në periudhën e saj më të afërt (perigje), duke mbuluar plotësisht Diellin për një kohë të gjatë.
Rruga e eklipsit do të përfshijë kryesisht Oqeanin Atlantik dhe disa zona tokësore si Brazili verior, Guiana Franceze, disa ishuj të Karaibeve, si dhe pjesë të Afrikës Perëndimore, përfshirë Ganan dhe Togon. Gjatë errësirës totale, qielli do të errësohet, yjet do të jenë të dukshëm në mes të ditës, dhe temperatura do të bjerë ndjeshëm.
Astronomët dhe agjencitë hapësinore tashmë planifikojnë mënyra për të dokumentuar këtë fenomen unik dhe për të studiuar në detaje sjelljen e atmosferës diellore dhe jonosferës së Tokës gjatë kësaj ngjarjeje.
Ky është një event që do të shënojë brezat e ardhshëm dhe do të mbetet i pashlyeshëm në kujtesën e njerëzimit.