
Një ngjarje me rrezik për jetën është regjistruar pasditen e sotme në liqenin e Pogradecit, ku dy shtetas – babë e bir – u gjendën në mes të stuhisë, ndërsa ndodheshin në një varkë peshkimi.
Sipas të dhënave zyrtare, ata kishin dalë për të peshkuar, por për shkak të përkeqësimit të motit dhe kushteve të vështira atmosferike, humbën kontrollin mbi mjetin lundrues dhe u rrezikuan seriozisht të mbyteshin.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë në kohë rekord me mjetin lundrues “Skaf”. Pas kërkimeve në liqen, ata arritën të lokalizojnë varkën rreth 1.5 milje larg bregut dhe të shpëtojnë babanë dhe të birin, duke i sjellë të dy të sigurt në mol.
Fatmirësisht, falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të forcave kufitare, ngjarja përfundoi pa pasoja tragjike. Policia Kufitare vijon të monitorojë nga afër situatën në liqen për shkak të kushteve të paqëndrueshme të motit.