Sara Mila: Më akuzuan për lidhje me banda, por përgjigjen Berishës do ia jap në shtator, sy më sy në Kuvend

Deputetja e sapozgjedhur e qarkut të Elbasanit, Sara Mila, ka reaguar ndaj akuzave të ngritura nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili pretendoi se ajo siguroi votat në zgjedhjet e 11 majit me ndihmën e bandave.

E ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, Mila deklaroi se nuk ka ndërmend të reagojë me deklarata politike, por do t’i përgjigjet akuzave drejtpërdrejt në shtator, në sallën e Parlamentit, kur të fillojë zyrtarisht mandatin e saj si deputete.

“Mezi po pres shtatorin, sepse është shumë e vështirë kjo hedhja e fjalëve nga larg që opozita bën për mua nga Parlamenti, kur unë nuk jam ende pjesë e tij. Do të jemi sy më sy dhe ballë për ballë, për të gjitha ato që thonë dhe për të gjitha përgjigjet që pret elektorati im,” tha Mila.

Ajo falënderoi publikisht votuesit që i dhanë besimin, duke theksuar se ka marrë plot 20.225 vota dhe se fushata e saj është bazuar në komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe në prezantimin e një vizioni të ri për qarkun e Elbasanit.

“Nuk ka qenë e lehtë për mua, teksa hidhej baltë mbi atë që unë dhe familja ime përfaqëson. Numërimi më solli një lloj çlirimi, ndjeva një mirënjohje të thellë për atë që unë arrita,” u shpreh ajo.

Deputetja e re vlerësoi gjithashtu se një pjesë e mirë e demokratëve të Elbasanit kanë votuar për të, duke e parë si një figurë të re dhe të pakonsumuar në politikë.

“Non grata-s do t’i përgjigjem në shtator. Ata e kanë ndarë mendjen të merren me mua gjatë, unë aty do të jem. Do të jetë më e këndshme kur replika të jetë sy më sy,” përfundoi Sara Mila.