
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka pranuar se Shqipëria nuk mund të përballet e vetme me nivelin e lartë të kriminalitetit dhe kërkon mbështetje ndërkombëtare.
Në Forumin Konsultativ të Prokurorëve të Përgjithshëm dhe Specialë të Ballkanit Perëndimor, Dumani theksoi se grupet kriminale janë të ndërlidhura dhe se hetimet shpesh çojnë përtej kufijve.
“Asnjë vend i rajonit nuk mund t’i bëjë ballë i vetëm krimit të organizuar dhe korrupsionit. Duhet të veprojmë me vendosmëri, në mënyrë kolektive”, deklaroi ai.
Ai vlerësoi bashkëpunimin me Eurojust si një instrument kyç për kapërcimin e pengesave ndërkombëtare në hetime dhe theksoi domosdoshmërinë e një qasjeje të përbashkët rajonale kundër krimit.