
Vatrat e zjarrit në masivin pyjor të Darëzezës janë riaktivizuar sërish mesditën e 2 qershorit, pasi flakët që përfshinë zonën një ditë më parë ishin shuar mëngjesin e sotëm. Zjarri është përhapur me shpejtësi duke përfshirë rreth 10 hektarë sipërfaqe, ndërkohë që forcat zjarrfikëse po luftojnë për ta vënë nën kontroll.
Në operacion janë angazhuar forcat zjarrfikëse nga Fier, Patos dhe Roskovec, punonjës të pyjores dhe banorë të zonës. Për shkak të terrenit të vështirë ranor, ndërhyrja me mjete zjarrfikëse është e pamundur në disa pjesë, ndaj efektivët po përdorin mjete rrethanore për të hapur rrugë zjarrit.
Bashkia Fier ka vënë në dispozicion një traktor me zinxhir për të krijuar korridore sigurie, ndërsa Ministria e Mbrojtjes njoftoi për përfshirjen e 7 automjeteve zjarrfikëse, një buldozeri, një fadrome dhe 40 efektivësh në operacion.
Për shkak të përmasave të mëdha dhe përhapjes së shpejtë të flakëve, ndërhyrja është zgjeruar edhe nga ajri për të ndihmuar në izolimin e zjarrit. Situata mbetet e vështirë dhe nën monitorim të vazhdueshëm