Shtëpia e vëllezërve Frashëri/ Kërkohet kthimi në një vend pelegrinazhi: Të bëhet rruga dhe restaurohet banesa!

Screenshot

Të dielën, në zemrën e zonës së Dangëllisë në fshatin historik të Frashërit, u zhvillua me një pjesëmarrje të gjerë Konferenca Kombëtare kushtuar trashëgimisë së jashtëzakonshme të Vëllezërve Frashëri.

Konferenca u hap nga Prof. Ethem Ruka, President i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, me një ligjëratë mbi idetë e Vëllezërve Frashëri për identitetin kombëtar, duke e vendosur eventin në një kuadër të gjerë historik dhe ideologjik.

Prof. Pëllumb Xhufi u ndal tek profili politik dhe diplomatik i Abdyl Frashërit duke sjellë të reja të panjohura më parë për të.

Prof. Paskal Milo solli në kumtesën e tij një analizë të thelluar të shtetformimit modern shqiptar në veprën e Sami Frashërit.

Frashëri sipas të pranishmëve duhet trajtuar si një qendër kombëtare kujtese dhe pelegrinazhi historik, një vend ku identiteti dhe kultura shqiptare marrin formë konkrete. Njëzëri akademikët e vunë theksin tek rruga e amortizuar që të çon në Frashër, një pengesë për kthimin e banesës muze të vëllezërve frashëri në një qendër pelegrinazhi.

“Dua të citoj një estet të njohur Oscar Wilde i cili dy vite para se Sami Frashëri të botonte veprën e tij të njohur ‘Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet’, pikërisht në vitin 1897 do të shkruante: ‘Aty ka dhimbje është tokë e shenjtë. Rrënojat ende ndriçojnë me dritën e diçkaje fisnike’. Jua sjell këto fjalë të Wilde duke parë gjendjen e Frashërit sot, që nga rruga e gjithë të tjerët, e sot ka dhimbje këtu, por është tokë e shenjtë. Duhet të përcjellim mesazhe që të shkojnë aty ku duhet, të nxisë e të prekë krenarinë kombëtare dhe ata që e kanë për detyrë të kthejnë sytë nga Frashëri që të kthehet në vend pelegrinazhi.”, u shpreh Paskal Mile.

Një kërkesë për të ndërhyrë në infrastrukturën rrugore që ky tempull i identitetit kombëtar të mbahet gjallë, Prof. Ethem Ruka ia drejtoi kryeministrit Rama. Njëkohësisht një kërkesë për ndërhyrje dinjitoze në banesën e tre prej figurave themelore të identitetit kombëtar shqiptar shkoi për “Fundjavën Ndryshe” dhe themeluesin e këtij fondacioni Arbër Hajdari.