
Nga 1 janari 2026, të gjitha produktet ushqimore që qarkullojnë në tregun shqiptar duhet të përmbajnë një kod identifikimi të njohur si “lot”, i cili do të vendoset në etiketë për të garantuar gjurmueshmëri të plotë në zinxhirin ushqimor.
Kjo masë vjen si pjesë e udhëzimit të ri “Mbi treguesit ose shenjat që identifikojnë lot-in të cilit i përket një produkt ushqimor1 të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i botuar në Fletoren Zyrtare, që synon rritjen e sigurisë ushqimore dhe përputhjen me standardet e Bashkimit Evropian.
Ky udhëzim ka për qëllim të forcojë sistemin e gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore nëpërmjet vendosjes në faza të ndryshme të zinxhirit ushqimor të lot-it, të formuluar me tregues identifikues me shkronja ose numra, duke u mundësuar autoriteteve kompetente dhe operatorëve të biznesit të monitorojnë dhe të menaxhojnë në mënyrë efektive produktet ushqimore”, citohet në udhëzimin e Ministrisë së Bujqësisë.
Sipas këtij udhëzimi, çdo produkt ushqimor do të duhet të ketë të shënuar një tregues unik, të formatuar me shkronja ose numra, që tregon kohën dhe vendin e prodhimit, përpunimit ose paketimit. Ky tregues do t’i paraprijë shkronja “L”, përveç rasteve kur identifikimi është i qartë edhe pa të.
Udhëzimi parashikon disa përjashtime për produkte që tregtohen pa ambalazh, për paketime shumë të vogla ose produkte të destinuara për përpunim të menjëhershëm. Megjithatë, shumica e produkteve ushqimore të parapaketuara do të duhet të pajisen me këtë kod.
Produktet që janë etiketuara përpara hyrjes në fuqi të udhëzimit do të lejohen të qëndrojnë në treg deri në përfundimin e stoqeve, ndërsa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është ngarkuar të monitorojë këtë proces kalimtar.
Neni 1 1. Ky udhëzim ka për qëllim të forcojë sistemin e gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore nëpërmjet vendosjes në faza të ndryshme të zinxhirit ushqimor të lot-it, të formuluar me tregues identifikues me shkronja ose numra, duke u mundësuar autoriteteve kompetente dhe operatorëve të biznesit të monitorojnë dhe të menaxhojnë në mënyrë efektive produktet ushqimore. 2. Për qëllimet e këtij udhëzimi, “lot” nënkupton një sasi të identifikueshme të një produkti ushqimor të dorëzuar në të njëjtën kohë dhe që është prodhuar, përpunuar ose paketuar praktikisht në të njëjtat kushte.
Neni 2 1. Produktet ushqimore tregtohen vetëm nëse përmbajnë lot-in me treguesit identifikues të përmendur në nenin 1, të pikës 1, të këtij udhëzimi. 2. Pika 1 e këtij neni nuk zbatohet: a) për produktet bujqësore, të cilat, pas largimit nga ferma, janë: i. shitur ose dorëzuar në stacionet e magazinimit, përgatitjes ose paketimit të përkohshëm; ii. transportohen tek organizatat e prodhuesve; ose iii. mblidhen për përfshirje të menjëhershme në një proces përgatitjeje ose përpunimi; b) në pikën e shitjes te konsumatori i fundit, kur produktet ushqimore nuk janë të parapaketuara, janë të paketuara me kërkesë të blerësit ose janë të parapaketuara për shitje të menjëhershme; c) për paketimet ose kontejnerët, ana më e madhe e të cilave ka një sipërfaqe më të vogël se 10 cm2 ; ç) në porcione individuale të akullores, treguesi që mundëson identifikimin e lot-it të tregohen në paketimin e kombinuar.
Neni 3 1. Lot-i përcaktohet në çdo rast nga prodhuesi ose ambalazhuesi i produktit ushqimor, ose shitësi i parë në Republikën e Shqipërisë. 2. Treguesit e përmendur në nenin 1, të pikës 1, të këtij udhëzimi, përcaktohen dhe vendosen nën përgjegjësinë e operatorëve që kryejnë procese specifike në zinxhirin ushqimor. Treguesit të paraprihen nga shkronja “L”, me përjashtim të rasteve kur dallohet qartë nga treguesit e tjerë në etiketë ose ambalazh.
Neni 4 1. Në rastin e produkteve ushqimore të parapaketuara, treguesi i përmendur në nenin 1, të pikës 1, të këtij udhëzimi, dhe sipas rastit, shkronja “L”, do të shfaqet në paketim ose në një etiketë bashkëngjitur.
Kur produktet ushqimore nuk janë të paketuara paraprakisht, treguesi i përmendur në nenin 1, të pikës 1, të këtij udhëzimi, dhe sipas rastit, shkronja “L” vendoset në paketim ose në kontejner ose, në rast të kundërt, në dokumentet shoqëruese tregtare. 3. Treguesit të vendosen në të gjitha rastet në mënyrë të tillë që të jenë lehtësisht të dukshëm, qartësisht të lexueshëm dhe të pashlyeshëm.
Neni 5 1. Kur në etiketë është vendosur data e jetëgjatësisë minimale ose “të përdoret deri …”, treguesit e përmendur në nenin 1, të pikës 1, të këtij udhëzimi, nuk vendosen në etiketën e produktit ushqimor, me kusht që data konsiston të paktën në tregues të pakoduar të datës dhe muajit duke ruajtur radhën e vendosjes.
Neni 6 1. Produktet ushqimore të etiketuara përpara datës së hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi do të vazhdojnë të tregtohen deri në mbarimin e stoqeve. Ngarkohet Autoriteti Kombëtar i Ushqimit të evidentojë sasinë stok të këtyre produkteve deri në shitjen e plotë të tyre.Neni 7 1. Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit në Fushën e Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë, Mbrojtjes së Bimëve dhe Peshkimit dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Udhëzimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2026./MONITOR