BKH zbarkon në Elbasan – kontroll në një kompani ndërtimi, sekuestrohen celularë dhe dokumente

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë zhvilluar një aksion të gjerë në orët e para të mëngjesit në qytetin e Elbasanit, ku janë ushtruar kontrolle të imtësishme në zyrat e një kompanie të fuqishme në fushën e ndërtimit.

Operacioni, i cili nisi rreth orës 06:30, u zhvillua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe në bashkëpunim me forcat e policisë. Burime bëjnë me dije se agjentët sekuestruan celularët e punonjësve, dokumente, kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike që mund të shërbejnë si prova.

Kompania e përfshirë dyshohet për përfitim të paligjshëm të tenderëve nga bashki të ndryshme në qarkun e Elbasanit. Hetimet janë pjesë e një aksioni më të gjerë për korrupsion, ku janë në fokus edhe kompani të tjera me aktivitet në Tiranë dhe Durrës.

BKH po vijon verifikimet për lidhjet mes përfitimeve të dyshimta dhe zyrtarëve vendorë, ndërkohë që priten zhvillime të mëtejshme nga SPAK.