“Siguroni ushqime për 72 orë” – Orban reagon ashpër ndaj KE: Çmenduri! Elitat brukseliane duan të zgjasin konfliktin

“Siguroni ushqime për 72 orë” – Orban reagon ashpër ndaj KE: Çmenduri! Elitat brukseliane duan të zgjasin konfliktin

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimit të Komisionit Evropian (KE), i cili u kërkoi qytetarëve të Bashkimit Evropian të grumbullojnë furnizime jetike për të paktën 72 orë, në rast të një krize emergjente.

Në një deklaratë të bërë publike në rrjetin social X, Orban e quajti këtë nismë një “çmenduri” dhe akuzoi elitat e Brukselit për nxitjen dhe zgjatjen e konfliktit në Ukrainë.

Orban: Hungaria nuk do të tërhiqet në këtë çmenduri

Sipas tij, Evropa nuk kërcënohet nga lufta dhe askush nuk do të sulmojë një vend të NATO-s, duke përjashtuar mundësinë që luftimet në Ukrainë të përhapen në Budapest, Varshavë apo shtetet baltike.

“Komisioni Evropian dëshiron që familjet tona të grumbullojnë furnizime për 72 orë, por pse? A po përgatiten për luftë? Hungaria nuk do të tërhiqet zvarrë në këtë çmenduri. Ne mbështesim paqen, jo konfliktin e pafund,” – shkroi Orban në X.

Ai e krahasoi këtë situatë me metodat e përdorura nga sovjetikët, duke pretenduar se elitat evropiane po përpiqen të vendosin qeveri kukull në vendet e BE-së, ashtu siç ndodhi me Donald Tusk në Poloni.

Orban mbështet planin e Trump për paqen

Në deklaratën e tij, Orban tha se Shtetet e Bashkuara janë tani në anën e paqes, duke negociuar për një armëpushim, ndërsa BE-ja po vijon të mbajë një qasje më agresive ndaj konfliktit.

“Në vend që të reklamojmë pako luftarake, ne mbështesim planin e paqes të Presidentit Trump. Amerika po negocion për një armëpushim, ndërsa elitat brukseliane kanë në plan të zgjasin konfliktin. Ata tani flasin për rekrutimin e detyrueshëm, gjuetinë politike të shtrigave, madje edhe një NATO paralele për të na marshuar,” – theksoi ai.

Reagimi i Orbanit vjen në një kohë kur tensionet mbi politikën e BE-së ndaj Ukrainës dhe sigurisë rajonale po rriten, duke shkaktuar ndasi midis vendeve anëtare mbi qasjen ndaj konfliktit.