Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka zgjedhur t’i ulë tonet pas zhurmës së krijuar në mediat greke lidhur me batutat e Kryeministrit Edi Rama për origjinën e grekëve të sotëm dhe lidhjen e tyre me filozofët e lashtësisë.
Në një intervistë për stacionin televiziv “Alpha”, Mitsotakis e cilësoi deklaratën e Ramës si të papërshtatshme, por theksoi se çështja duhet konsideruar e mbyllur pas sqarimit të homologut shqiptar.
“I shpëtojnë gjëra që nuk duhet t’i thotë”
Mitsotakis u shpreh se e njeh prej vitesh stilin e Ramës dhe e mirëpriti tërheqjen e tij.
“E njoh z. Rama prej shumë vitesh, ai ka një mënyrë të veçantë të shprehuri dhe shpeshherë i shpëtojnë gjëra që nuk do të duhej t’i thoshte. Këtë herë tha një fjalë të rëndë dhe e kuptoi gabimin e tij. Unë po mbaj parasysh korrigjimin që bëri, ishte një deklaratë e papërshtatshme dhe më mirë ta lëmë pas,” deklaroi kreu i qeverisë greke.
Konteksti: Përplasja me gazetarin në Abu Dhabi
Debati lindi gjatë një paneli në Abu Dhabi, ku pas një shqiptimi të gabuar të emrit nga gazetari greko-amerikan John Defterios, Rama iu drejtua atij me frazën: “Mendoni se keni monopol mbi filozofinë dhe jeni trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të Platonit dhe Aristotelit, por nuk jeni.”
Kjo frazë shkaktoi reagime të ashpra nacionaliste në Athinë.
Sqarimi i Ramës: “Humor miqësor, jo tendencë”
Një ditë më parë, Kryeministri Rama reagoi duke e cilësuar shpërthimin mediatik në Greqi si të pabesueshëm dhe me “pathos nacionalist”. Ai sqaroi se komenti ishte thjesht humor miqësor dhe rikonfirmoi respektin e tij për Greqinë e Lashtë si djepi i qytetërimit.
“I siguroj të gjithë… se nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë… dhe që populli grek është për mua një fqinj i pazëvendësueshëm,” shkroi Rama, duke shtuar megjithatë se ata që reagojnë me histeri nacionaliste nuk i duken si pasardhës të denjë të filozofëve të mëdhenj.
