Berat – Vendosnin gjoba pa arsye, AMP pezullon nga detyra 4 punonjës policie.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier–Berat) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, e cila ka caktuar masën e sigurisë personale me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, ndaj katër punonjësve të Policisë së Shtetit.

Masat janë vendosur në bazë të nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, pasi ndaj tyre rëndon dyshimi për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Punonjësit e policisë ndaj të cilëve është marrë masa e sigurisë janë:
  • Inspektor A.S., trupë shërbimi në Seksionin për Trafikun Urban dhe Interurban, DVP Berat
  • Inspektor M.D., trupë shërbimi në Seksionin për Trafikun Urban dhe Interurban, DVP Berat
  • Inspektor A.Q., trupë shërbimi në Seksionin për Trafikun Urban dhe Interurban, DVP Berat
  • Inspektor K.G., oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Berat

Sipas njoftimit zyrtar, masat e sigurisë u bënë të mundura pas veprimeve hetimore proaktive të kryera nga AMP në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat. Hetimet kanë nxjerrë në pah se punonjësit e policisë, gjatë ushtrimit të detyrës, me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, kanë penalizuar ose favorizuar drejtues mjetesh të konstatuar në shkelje apo jo të Kodit Rrugor.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bën me dije se mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkeljeje nga ana e punonjësve të strukturave të sigurisë.

Denoncimet mund të bëhen:

  • në numrin e gjelbër 0800 9090
  • në email: ankesa@amp.gov.al
  • në WhatsApp: 069 415 1511
  • ose përmes aplikacionit “Agjencia Digjitale” në Play Store dhe App Store.
Avatar photo
Dallandyshe Hoxha
7 January, 13:28 | Përditësimi: 7 January, 13:28